Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se një koalicion parazgjedhor mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është i pamundshëm, edhe nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti e ndryshon qasjen gjatë fushatës.
Lushtaku është shprehur i bindur se mandati i Qeverisë Kurti ka përfunduar me këto katër vite.
Sipas tij, kryeministri në detyrë, Kurti ka kërkuar gjithmonë nënshtrim e jo partneritet nga partitë tjera politike.
“Albin Kurti kurrë nuk ka kërkuar partneritet, por nënshtrim me të gjitha partitë. Ne këtë qasje autoritare nuk e përballojmë. Ne kemi luftuar me mjete të tjera para çlirimit, por tani do të luftojmë në mënyrë demokratike, me fjalën dhe veprimin për ta ndryshuar këtë gjendje dhe për t’i kthyer dinjitetin Kosovës. Pavarësisht nëse je fitues i garës, qoftë edhe me 1%, ke përgjegjësi më të madhe për formimin e institucioneve, e jo të sillesh si autoritar e fyes”, ka shtuar Lushtaku.