Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ndërmjet “opozitës” juridike dhe “pushtetit” politik

Ndërmjet “opozitës” juridike dhe “pushtetit” politik

Shkruan:Afrim Kasolli

 

 

Shumica e kritikave “opozitare” ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me Projektbuxhetin për vitin 2026, thuajse kanë qenë të njëtrajtshme. Ato i ka karakterizuar një gjuhë e ftohte juridike duke e cilësuar mënyrën e procedimit të këtij dokumenti nga një Qeveri në detyrë, ku shumica anëtarëve të saj mbajnë pozita edhe në legjislativ edhe në ekzekutiv si antiligjore. Po ashtu, se si një Qeveri me një status të tillë juridik as nuk ka të drejtë të bëjë propozime të tilla. Pa përjashtim thuajse të gjitha kanë deklaruar se do ta kundërshtojnë këtë Projektbuxhet nga konsiderata legale dhe kushtetuese. Asnjë kontestim mbi pretendime politike. Madje janë përkujdesur të mos e krijojnë përshtypjen publike se janë kundër politikave të “drejtësisë sociale” të partisë në pushtet, nga frika se mund kenë kosto elektorale.

Nuk ka dyshim se sjelljet e pushtetit duhet të jenë konform normave juridike. Ngase po të mos ishte kështu ato nuk kanë nevojë të ekzistojnë. Mirëpo, këto dy sfera nuk janë identike. Ndarja e tyre dallon që nga epoka antike.  Sipas përvojës autentike të polisit, greket sferën e ligjshkruarjes e diferenconin rrënjësisht nga ajo e aksionit. Madje të njëjtit nuk nguronin që “ekspertizën” në hartimin e tyre ta huazonin edhe nga vende tjera. Mirëpo, të qenit qytetar i lirë dhe athinas ishte kusht për pjesëmarrje në jetën politike. Kjo trashëgimi në një formë të sofistikuar thuajse është prezente edhe sot.  Shumë shtete mund të kontraktojnë teknokratë dhe ekspertë nga vende të tjera, siç i ka ndodhur edhe Kosovës që nga shkrimi i Kushtetutës etj, por participimi politik është i kushtëzuar nga të qenit “nativist”.

Në këtë kontekst, ky reagim gati në unision i subjekteve “opozitare” ndaj Projektbuxhetit flet për ngjashmëritë e tyre të thella, ku politikën e shohin vetëm sipas optikës juridike dhe administrative.  Por kjo e fundit para se të jetë e tillë është e lidhur me antagonizmin shoqëror. Adresimin juridik të kësaj anomalie mund ta bëjnë edhe OJQ-të, ashtu siç është duke e bërë sot rjeti i OJQ-ve AVONET. Prandaj kundërshtimi i partive opozitare duhet të zhvillohet sipas linjave të para.

Nuk ka dyshim se mënyra e propozimit të Projektbuxhetit nga partia fituese e zgjedhjeve është e lidhur me kalkulimin  për përftime të mundshme elektorale si për balotazh ashtu edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që tashmë kanë mbetur i vetmi opsion në tavolinë. Qëllimi i saj madje ka qenë që ta fitojë këtë kundërshtim “opozitar” mbi pretendime ligjore. Arsyetimi i ndaj  kësaj “kryqëzate juridike” tashmë është i njohur, dikur partitë e ish-regjimit të vjetër e përdorën ligjin për t’u pasuruar për vete në dëm të shoqërisë, ndërkohë sot të njëjtat janë mobilizuar për ta përdorur këtë të fundit me qëllim që të pengohet ndarja e barabartë e pasurisë në popull.

Prandaj ky sabotim, sipas Lëvizjes Vetëvnedosje, është një dëshmi shtesë se pse asaj i duhen edhe më shumë vota, sepse kjo është e vetmja mundësi për ta çliruar sistemin nga tentakulat e këtyre partive. Është edhe ky një rast në mesin e shumë tjerave ndërmjet “opozitës” juridike dhe “pushtetit” politik. Ku e para i ka fituar shumë beteja ligjore, por ka dështuar ta kapitalizojë politikisht suksese të tilla. Ngase ka abdikuar nga aksioni që është esenca e politkës.