Para Kuvendit të Serbisë ka mbretëruar situatë e tensionuar. Policia ka vendosur kordon që ndan dy grupe qytetarësh – njërin që ka ardhur për të mbështetur Dijanën Hrka dhe tjetrin që ndodhet pranë tendave të vendosura para Kuvendit.

Midis grupeve ka pasur tensione. Nga vendi ku ndodhen përkrahësit e pushtetit herë pas here janë hedhur shishe plastike dhe dëgjohen këngë nacionaliste. Gjatë mbrëmjes ka ndodhur një incident, kur ndaj protestuesve u hodhën piroteknikë nga drejtimi i kampit me tenda të mbështetësve të pushtetit. Pas një shtyrjeje mes grupeve, policia ka reaguar dhe i ka ndarë ato.

Më vonë u dëgjuan edhe të shtëna topash, ndërsa janë regjistruar përplasje verbale. Qytetarët po brohorasin parulla kundër presidentit Aleksandar Vuçiq. Deri më tani nuk ka pasur incidente më të mëdha – ato janë kufizuar në provokime të herëpashershme – por atmosfera mbetet e tensionuar.

Policia ka shtuar praninë në terren. Forca shtesë dhe kordone janë vendosur në rrugët përreth. Qytetarët që mbështesin protestat janë mbledhur për të përkrahur Dijanën Hrka, e cila ka filluar grevën e urisë para Kuvendit të Serbisë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për tragjedinë në Novi Sad.

Në lidhje me tensionet në qendër të Beogradit është deklaruar presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili u ka bërë thirrje të gjithëve për qetësi dhe përmbajtje nga dhuna. Ai akuzoi qytetarët se “janë afruar deri te kampi me tenda dhe kanë shikuar se si të sulmojnë” mbështetësit e tij.

Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dënuan incidentet në qendër të Beogradit./rtk