Marc Weller, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Kushtetuese në Universitetin e Kembrixhit në Britaninë e Madhe, ka sugjeruar se paqartësia e politikës së presidentit amerikan, Donald Trump, mund të shkaktojë drojë te Kosova, duke e bërë “paksa nervoze” gjatë procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Ne nuk e dimë saktësisht se si do ta trajtojë administrata Trump çështjen e Kosovës. Mendoj se Kosova ka arsye të jetë paksa nervoze për kthimin e saj, si dhe të përfaqësuesit të saj të posaçëm [Richard Grenell], i cili mund të përpiqet të imponojë ndonjë lloj veprimi”, ka thënë ai për redaksinë e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.
Weller, i cili ka shërbyer si këshilltar ligjor i Kosovës gjatë Konferencës së Rambujesë, Procesit të Vjenës dhe Dialogut të Brukselit, ka nënvizuar se zgjidhja midis Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme për shkak të afërsisë së tyre gjeografike. Megjithatë, ai ka shtuar se, sikurse në proceset e mëparshme negociatore, presioni për të bërë lëshime në procesin e normalizimit është duke rënë sërish mbi Kosovën
“Dhe pikërisht këtu kemi ngecur – Kosovës i thuhet se duhet të themelojë fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por askush nuk e di nëse Serbia do ta zbatojë më pas pjesën e saj të marrëveshjes”, ka argumentuar mes tjerash Weller.
Welleri ka potencuar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka nevojë për një fillim të ri dhe për një qasje më të balancuar të partnerëve perëndomorë ndaj Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja shtetet t’i përmbushin detyrimet e tyre.