Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ramadani: Protestat në Beograd tregojnë shembjen e regjimit të Vuçiqit — qytetarët e Kosovës të shmangin udhëtimet në Serbi

Ramadani: Protestat në Beograd tregojnë shembjen e regjimit të Vuçiqit — qytetarët e Kosovës të shmangin udhëtimet në Serbi

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka reaguar sot lidhur me protestat që po zhvillohen në Beograd, duke paralajmëruar se regjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq po përballet me shembjen e tij politike.

Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani ka vlerësuar se politika e Vuçiqit për të mbajtur njëkohësisht lidhje me Perëndimin dhe me Rusinë e Kinën ka dështuar, ndërsa, sipas tij, kjo qasje ka prodhuar pasiguri në rajon.

“Serbia nuk mund të mbajë politikën e dy kapeleve: edhe me Perëndimin, edhe me Rusi-Kinë. Kjo politikë e Vuçiqit dhe regjimit të tij jo vetëm që është lexuar nga të gjithë, por edhe ka mbajtur gjallë rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë rajonale,” ka shkruar Ramadani.

Ai ka theksuar se protestat që po zhvillohen prej më shumë se një viti në Serbi, e veçanërisht ajo e sotmja në Beograd, janë shenjë e qartë se regjimi i Vuçiqit po përjeton fundin e tij politik.

“Ky është destinimi i autokratëve kudo. Shembja e tyre është e paalternativë!”, ka deklaruar Ramadani, duke shtuar edhe një thirrje për qytetarët e Kosovës që të shmangin udhëtimet sot nëpër Serbi, veçanërisht në Beograd, për shkak të situatës së paqëndrueshme.