Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Në nderim të Fatos Nanos, Shqipëria në ditë zie kombëtare më 2 nëntor

Në nderim të Fatos Nanos, Shqipëria në ditë zie kombëtare më 2 nëntor

Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka vendosur këtë të premte që dita e diel, më 2 nëntor 2025, të shpallet Zi Kombëtare në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndërroi jetë pas disa javësh në spital në moshën 73-vjeçare.

Në njoftimin zyrtar thuhet se të dielën të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulin flamurin kombëtar në gjysmë shtize, ndërsa në orën 12:00 do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.

Sipas vendimit, Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë sipas këtij programi:

08:30 – 11:00 – Homazhe publike

11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet

12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës

Fatos Nano ndërroi jetë këtë të premte pas një periudhe të gjatë sëmundjeje. Ai kishte qenë i shtruar në një spital privat në kryeqytet prej datës 8 tetor, pas problemeve kronike respiratore. Ish-kryeministri pësoi arrest kardiak dhe më pas vdekje klinike të trurit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar ditët e fundit.