Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe themeluesi i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka ndërruar jetë këtë të premte, më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare. Ai ishte shtruar prej gati një muaji në një spital privat në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore për probleme të rënda me mushkëritë.
Nano konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme dhe më ndikim të politikës shqiptare pas rënies së komunizmit, duke qenë një ndër arkitektët e tranzicionit demokratik dhe i transformimit të së majtës shqiptare.
I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Fatos Nano u diplomua për Ekonomi Politike në Universitetin e Tiranës në vitin 1974. Ai nisi karrierën si ekonomist në sektorin shtetëror dhe më pas, në vitin 1984, u emërua studiues në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ku merrej me analizën e reformave ekonomike të vendeve të Lindjes.
Në dhjetor 1990, gjatë shkatërrimit të sistemit komunist, Nano u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ndërsa në janar 1991 mori detyrën e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Adil Çarçanit. Pas dorëheqjes së këtij të fundit, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e kryeministrit të qeverisë së tranzicionit në shkurt të vitit 1991.
Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, Nano u mandatua sërish si kryeministër, por dha dorëheqjen disa javë më vonë, mes krizës së thellë ekonomike dhe protestave të punëtorëve.
Një nga arritjet më të mëdha të Nanos ishte shndërrimi i Partisë së Punës në Partinë Socialiste të Shqipërisë, duke e orientuar drejt socialdemokracisë perëndimore. Ai u zgjodh kryetar i PS-së më 12 qershor 1991 dhe e udhëhoqi për 13 vite, deri në vitin 2005.
Në vitin 1993, pas ardhjes në pushtet të demokratëve, Nano u arrestua dhe më pas u dënua me 12 vite burg, i akuzuar për shpërdorim detyre. Ai e quajti procesin politik, dhe burgosja e tij u konsiderua nga shumë ndërkombëtarë si një akt hakmarrjeje politike.
U lirua në vitin 1997, gjatë trazirave që përfshinë Shqipërinë pas rënies së skemave piramidale. Vetëm pak muaj pas daljes nga burgu, ai riktheu socialistët në pushtet, duke marrë sërish postin e kryeministrit.
Nano ka drejtuar qeverinë shqiptare në tri periudha: 1991, 1997–1998 dhe 2002–2005. Ai u cilësua si një politikan me vizion perëndimor dhe shpesh si një figurë liberale brenda së majtës.
Në shtator 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe trazirave politike, Nano dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, duke ruajtur megjithatë drejtimin e Partisë Socialiste. Ai u rikthye për herë të tretë në qeveri në korrik 2002, pas zgjedhjeve të fituara nga PS-ja, duke qëndruar deri në humbjen e vitit 2005, kur ia dorëzoi pushtetin rivalit të tij politik, Sali Berisha.
Nano është i vetmi lider i tranzicionit që dha dorëheqjen nga politika pas humbjes së zgjedhjeve, duke u tërhequr plotësisht nga jeta publike.
Pas vitit 2005, Nano u largua nga politika aktive dhe jetoi mes Vjenës dhe Tiranës, duke marrë pjesë herë pas here në debate publike. Ai kërkoi disa herë të zgjidhej President i Republikës, në vitet 2007 dhe 2012, por pa sukses.
Fatos Nano do të kujtohet si njeriu që modernizoi të majtën shqiptare, që hapi Shqipërinë ndaj Perëndimit dhe që vendosi standardin e dorëheqjes politike në vendin e tij.