Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka vlerësuar kontributin e Nanos në periudha të rëndësishme për kombin shqiptar, duke e cilësuar atë si një figurë me rol udhëheqës dhe vizionar.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se Fatos Nano ishte “kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë”, duke përfunduar mesazhin e tij me fjalët: “U prehtë në paqe!”.