Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bajrami akuzon Kurtin për uzurpim të institucioneve: “S’ka asnjë mundësi ligjore të votohet buxheti”

Bajrami akuzon Kurtin për uzurpim të institucioneve: “S’ka asnjë mundësi ligjore të votohet buxheti”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë që Kuvendi aktual të votojë buxhetin për vitin 2026, duke e quajtur këtë veprim “të paligjshëm dhe absurd”.

Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami ka bërë thirrje që qytetarët “të mos bien pre e propagandës”, duke theksuar se “nuk ka asnjë mundësi ligjore që kjo legjislaturë me votu buxhetin për vitin 2026”.

“Qysh me votu deputetët buxhetin e përgatitur nga kolegët e tyre deputetë që ka rastisur të jenë uzurpator të zyrave të Qeverisë (shih vendimin e Gjykatës Supreme). Qysh deputeti Kurti me prezantu buxhetin dhe mandej ai bashkë me ne me u ulë me votu?!” ka shkruar Bajrami.

Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për “shkelje sistematike të ligjeve dhe të Kushtetutës” gjatë pesë viteve të fundit, duke thënë se kjo po bëhet për të kapur institucionet.

Atë që LVV nuk ka arritë me votë e me koalicione, mundohen ta marrin përmes shkeljeve kushtetuese e ligjore dhe përmes uzurpimit të institucioneve”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Bajrami kritikoi ashpër qasjen e qeverisë ndaj çështjes së RTK-së, duke e cilësuar “të pandershme përdorimin politik të 700 familjeve të gazetarëve dhe stafit”.

Leni dramat, mos i përdorni politikisht 700 familje të gazetarëve e stafit që punojnë në RTK, duhet me ju ardhë turp. Ndajeni buxhetin siç e keni ndarë para tre muajve, sepse asgjë nuk ka ndryshuar, bash asgjë”, shkroi ajo.

Duke iu referuar buxhetit të Komunës së Prishtinës, Bajrami kujtoi se “Qeveria e LVV-së e kishte mundësinë ta sillte në Kuvend në legjislaturën e kaluar, pasi Kuvendi Komunal e kishte aprovuar buxhetin më 9 dhjetor 2024, ndërsa seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës ishte mbajtur më 20 dhjetor dhe zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt”.

Në fund, Bajrami i bëri thirrje partive që të ndalin bllokadat politike: “Mjaft me bllokada! Shkojmë në zgjedhje tani. Qeveri brenda një jave pas rezultateve! Ky popull e ky shtet s’duron të mbetet eksperiment i Albin Kurtit!”.