Avokati Zahir Hamza ka deklaruar se ligji mbi veteranët e luftës përmban elemente diskriminuese dhe se udhëzimi administrativ që kufizonte të drejtën e kompensimit për këtë kategori është shfuqizuar me vendim meritor nga Gjykata Supreme.
Në emisionin “N’Pult” në Arberia TV, Hamza tha se “çështja e këtyre kategorive është për t’u trajtuar me kujdes, sepse është pak e ndjeshme në aspektin profesional si avokat, duke e ditur që kategoritë e dala nga lufta janë kategori e veçantë”.
Ai shtoi se pas analizimit të detajuar të ligjit mbi veteranët, ka konstatuar diskriminim të qartë.
“Si avokat, pas finalizimit të ligjit mbi veteranët, e kam analizuar në detaje dhe duke u bazuar në praktikë, kam vërejtur që ka një diskriminim absolut relativ, bazuar në ligj, nen që ka shumë vite që po e kërkojmë”, tha Hamza.
Sipas tij, Gjykata Supreme ka dhënë një vendim të drejtë në favor të veteranëve.
“Gjykata Supreme ka dhënë një vendim meritor, duke e shfuqizuar atë udhëzim administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve të luftës për të fituar një kompensim që është i paraparë me ligj”, u shpreh ai.
Hamza ka treguar se ka qenë ndër të parët që ka nisur kërkesat ligjore për këtë çështje.
“Këto kërkesa i kemi filluar disa vite më parë, kur kam filluar si avokat në iniciativë për me trajtu këtë çështje, edhe shumica kanë qenë skeptikë a do të fitohet apo jo”, ka thënë ai.
Duke e konsideruar ligjin aktual si të padrejtë, ai theksoi: “Vetë statusi mbi ligjin e veteranëve që është ky ligj, është diskriminues në përmbajtje të saj edhe në realitet”.
Hamza përmendi edhe një rast konkret që është duke e trajtuar në gjykatë, duke theksuar paqartësitë në udhëzimin administrativ që kufizon përfitimet.
“Kemi rastin specifik që jam duke e trajtuar në gjykata — ‘Kufizimi i të drejtës të benefiteve të veteranit, invalidit të luftës dhe dëshmorit’. Në këtë rast, Gjykata Supreme këtë udhëzim administrativ që thotë ‘Të gjithë veteranët që janë në marrëdhënie pune’, por nuk e specifikon çfarë marrëdhënie pune – private apo publike – në këtë rast edhe ky është diskriminues”, ka theksuar ai.
Në fund, avokati Zahir Hamza shtoi: “Të gjithë veteranët e luftës që ushtrojnë punë në institucione publike, a nuk kanë të drejtë t’i kërkojnë këto? Edhe kjo është padrejtësi që duhet të korrigjohet”.