Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar situatën e krijuar pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re, duke thënë se tashmë roli i presidentes Vjosa Osmani është i qartë, nëse nuk ka shumicë të re parlamentare, ajo duhet ta çojë vendin në zgjedhje.
Haradinaj ka thënë se për momentin ekziston një potencial teorik që opozita të krijojë shumicë, por që kjo kërkon një marrëveshje të qartë politike midis partive opozitare.
“Ne kemi 52 deputetë shqiptar të opozitës, që bëjnë katër më shumë se VV. Që i bie që në rast të një kontrate në mes të opozitës eksiton mundësia me i dhënë vendit qeveri”, ka thënë Haradinaj.
Megjithatë, ai theksoi se një marrëveshje e tillë ende nuk ekziston dhe se, në mungesë të një shumice të re, rruga e vetme kushtetuese është shpallja e zgjedhjeve.
“Kuptohet duke mos pas një kontratë të tillë të obligimeve, qëllimeve mes opozitës. Për faktin se mandati i parë dështoi, atëherë presidentja situata është mese e qartë, meqë askush nuk një shumicë të re, 61 deputetë atëherë asaj i mbetet me i shpallë zgjedhjet”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj komentoi edhe raportimet se Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve të saj, duke sqaruar se kjo është një lëvizje taktike për të siguruar që deputetët e VV-së të mos mbështesin ndonjë kandidat eventual tjetër nga opozita.