Ministria e Shëndetësisë, ka informuar se në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë miratuar Ligji për sëmundjet ngjitëse dhe Koncept-dokumenti për sëmundjet e rralla.
Përmes miratimit të Ligjit për sëmundjet ngjitëse, siç ka bërë të ditur MSh, është ofruar modernizmi dhe kontrolli efikas i sëmundjeve ngjitëse konform direktivave të BE-së dhe rekomandimeve të KE që përfshijnë: zhvillimin e inteligjencës epidemike, fuqizimin e kapaciteteve njerëzore, parandalimin e përhapjes së kërcënimeve ndërkufitare, menaxhimin e drejtë të situatave emergjente, sikur infeksionet e fituara brenda spitaleve, rezistencës antimikrobike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe fuqizimin e diagnostikimit mikrobiologjik, përditësimin e listës së sëmundjeve ngjitëse dhe plotësimin me legjislacion sekondar, nxjerrjen e standardeve dhe protokolleve, procedurave standarde të operimit dhe harmonizimin e kundërvajtjeve që sanksionohen me gjobë.
Ndërsa, përmes Koncept-dokumentit për sëmundje të rralla, ministria e Shëndetësisë, synon adresimin e sfidave të ndryshme që sëmundjet e rralla paraqesin për qytetarët e prekur nga to, familjarët e tyre, Instucionet shëndetësore si dhe ato qeverisëse në vend.
“Qëllimi i Koncept Dokumentit është institucionalizimi i përkujdesjes shëndetësore për pacientët e prekur nga këto sëmundje, që përveç zbulimit të hershëm, përmes trajnimit specifik të profesionistëve, të sigurohen edhe medikamentet e nevojshme për trajtimin sëmundjeve të pacientëve të prekur nga sëmundjet e rralla.”, ka bërë të ditur ministria.
Miratimi i Ligjit për sëmundjet ngjitëse dhe Koncept dokumentit për sëmundjet e rralla, janë një hap më shumë drejt përmbushjes standardeve evropiane të legjislacionit të Ministrisë së Shëndetësisë. /TV Arbëria