Shkruan: Afrim Kasolli
Sa më shumë që po vazhdon bllokada politike dhe zvarritja e themelimit të institucioneve të reja qendrore, aq më shumë është duke u shtuar ankthi dhe paniku mbi pasojat ekonomike që mund ta presin shoqërinë kosovare për shkak të mos miratimit të Ligjit e Buxhetit për vitin 2026.
Me qëllim që shmanget anarkia e mundshme janë shtuar zërat që të gjendet një hapësirë (pseudo)legale që të tejkalohet kjo sfidë në mënyrë që të mos mbyllet shteti. Organizata të shoqërisë civile ditë më parë i kanë shkruar presidentes Osmani që në konsultim me partitë politike të gjendet një konsensus që Qeveria aktuale, e cila ndryshe quhet si Qeveri në detyrë, ta dërgojë në Kuvend Projekt Ligjin në fjalë dhe që më pastaj i njëjti të kalohet me procedurë të përshpejtuar.
Madje sipas tyre më këtë udhë duhet të procedohet edhe Marrëveshja lidhur me Planin e Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor që do t’i mundësonte Kosovës të ketë akses në fondet financiare të Brukselit. Sepse vendi ynë së bashku me Bosnjën Hercegovinën, nuk e kanë marr asnjë cent, ndonëse për arsye të ndryshme.
Nuk ka dyshim se mos miratimi i Buxhetit do të kishte pasoja fatale ekonomike dhe shoqërore. Me këtë rast nuk duhet harruar faktin se pikërisht atyre që sot po u kërkohet të na shpëtojnë nga katastrofa që po troket janë përgjegjësit kryesorë se pse kemi ardhur në këtë situatë. Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja se nëse i lejohet e drejta një Qeverie që ka dalur nga një legjislature që i ka skaduar mandati të procedojë ligje para një përbërje të re parlamentare nën emrin e urgjencës kombëtare, a mund të jenë dëmet afatgjata më të mëdha se sa përfitimet afatshkurtra?
Operimi sipas kësaj logjike, nuk është asgjë tjetër, siç e kam potencuar disa herë, pos një thirrje publike për zhvleftësim të demokracisë. Një skenar i tillë shënon abuzimin më të madh të mundshëm me idenë e ligjit e rendit kushtetues të demokracive parlamentare, të cilat kanë për funksion pikërisht ta mbrojnë lirinë politike nga trillet despotike. Këtu nuk duhet harruar faktin se që nga antika, ky nocion para se të jetë politik, buronte nga sfera private e riprodhimit dhe mbijetesës natyrore biologjike. Për Aristotelin nocioni “despotes” i takonte kryesisht nivelit të krye familjarit ( the head of the family).
Në këtë kontekst, sot Kosova ndodhet si shtet dhe shoqëri para sprovës dhe dilemës me të madhe politike. A do të solidarizohet që ta sakrifikojë lirinë dhe rendin republikan për hir të presioneve ekonomike si dhe të pajtohet që nën shtytjen e këtyre të fundit ta afirmojë edhe në nivel shtetëror imazhin politik të krye familjarit i cili përtej normave ligjore mjafton përkujdesja e tij vetëm për dimension “bio-politik” të saj. Nënshtrimi ndaj kësaj fryme nuk do të ishte asgjë tjetër, pos mbartje në nivel shtetëror e lidhjes emocionale të një pjesë të militantëve të Lëvizjes Vetëvendose, të cilët në mënyrë të vazhdueshme me ovacione gjatë dalldisë elektorale po i referohen liderit të tyre si “Albin Baba”. /TV Arbëria