Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga dita e mos votimit të Qeverisë Kurti 3, partitë politike i janë vënë gjahut të “gjuetisë së shtrigave” për ta gjetur Fajtorin e Madh, për bllokadën institucionale, krizën ekonomike si dhe kaosin që po na pret.
Këtë dështim secila prej subjekteve parlamentare, po ashtu janë duke tentuar ta maksimalizojnë për interesat e tyre elektorale, si për balotazh, ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare që tashmw po bëhen të pashmangshme.
Sipas partive “opozitare” pamundësia e Albin Kurtit që t’i siguroi numrat e mjaftueshëm në Kuvend e verifikon “profecinë” e tyre, se i njëjti nuk i ka pasur kurrw ato që nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe e dyta po ashtu është dëshmi e rënies së tij të pashmangshme politike. Ai mbase edhe mund ta vazhdojë aktivitetin e tij margjinal politik, por jo si drejtues qeverie.
Kurse sipas eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mobilizimi i partive tjera parlamentare shqiptare, së bashku me Listën Serbe kundër Qevrisë Kurti 3, dëshmon aleancën e tyre të heshtur, e para për ta shpërdoruar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, si dhe për të penguar progresin shtetëror sidomos në drejtim të sovranizimit të veriut. Shto faktin se tashmë të njëjtit janë bashkuar edhe për të rrezikuar financiarisht jetën ekonomike në vend për shkak të mos miratimit të buxhetit.
Në këtë drejtim, ajo që ndodhi të dielën sipas tyre nuk është asgjë tjetër, pos riinkarnim i skemës së vitit 2020, kur të njëjtat forca e kishin shkarkuar Qeverinë Kurti 1, që atëbotë ishte në koalicion më Lidhjen Demokratike të Kosovës. Rrëzim kjo që i mundësoi atij një ringritje të paprecedent elektorale në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Prandaj, shumë nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke insistuar që ta ngjallin të njëjtin adrenalinë politike. Madje, edhe vetë Albin Kurti, në konferencën për media një ditë pas dështimit në Kuvend, deklaroi se tashmë ka arsyeje më shumë se asnjëherë tjetër, që të angazhohet për t’i siguruar 500 mijë votat e kërkuara në zgjedhjet e 9 shkurtit, po që nuk ia doli t’i siguronte. Sepse vetëm një fitore e tillë masive është garancion për stabilitet qeverisës, institucional, ekonomik dhe politik. Pra duke qenë i çliruar nga shantazhet “opozitare” i njëjti nuk do të kushtëzohej që t’i kalonte edhe ligjet bazike sikur ai për buxhetin.
Sidoqoftë, se sa ka gjasa që Albin Kurti ta jetësojë këtë skenar do të varet nga shumë varibala politike. Ndonëse racionalisht kjo duket një mision i pamundur, megjithatë duke marrë parasysh dinamikat politike në vend, nuk përjashtohet çdo skenar. E para qytetarët e Kosovës do të shkojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentar nën kërcimin e kaosit ekonomik nga rreziku i privimit të nevojave biologjike. Dhe siç ka thënë këtu e 2500 vjet më parë Aristoteli, në kushte të tilla ekstreme ata zakonisht janë të pirur ta mbështesin atë pushtet që ofron garanci se do t’i shmang pasoja të tilla apokaliptike. “Opozita” deri më tani, për shkak të fragmentarizmi të saj, ka dhënë shenja se është në gjendje ta bllokojë Albin Kurtin të rilegjitmohet si pushtetar, por jo që t’i tejkalojnë dallimet ndërmjet tyre për të ndërtuar një alternativë për ta kompensuar dobësinë e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjithsesi, përkundër kësaj teme të sipër cekur ekziston edhe një kauzë tjetër, siç është ajo e veriut të Kosovës, që gjatë këtij mandati, Albin Kurti ka ditur ta shndërroi në “minierë ari për vete dhe në xehe qymyri për opozitën”. Thuajse të gjitha subjektet tjera parlementare kanë qenë të heshtura në raport me përpjekjet e tij për sovranizimin e veriut. Madje se janë thjesht spektatorë sa i përket kësaj agjende e dëshmuan si në rastin e KQZ kur abstenuan lidhur pwr decertfikimin e Listës Serbe, përkundër thirrjes së Ambasadës Amerikane që të mos tundohen nga truqe të tilla administrative, ashtu edhe me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
Në këtë kontest, tashmë është ditur se shumë shpejt në katër komunat veriore do të rikthehen kryetarët e sapo zgjedhur nga Lista Serbe. Të njëjtit janë zotuar se pa humbur kohë ndër veprimet e para që do t’i marrin kanë të bëjnë me abrogimin e shumë prej vendimeve që i kanë marr kryetarët paraprakë shqiptarë. Është e pritshme që të njëjtit aktin e parë që do ta jetësojnë mbetet rrëzimi simbolik i Republikës së Kosovës nw objektet e komunave, duke e zëvendësuar flamurin shtetëror me atë të Republikës së Serbisë. Një zhvillim i tillë nuk do të tolerohej nga Albin Kurti. Prandaj, ai nuk do të linte gurë pa lëvizur për t’i mbrojtur arritjet e tij sovraniste dhe ligjore në pjesën veriore. Duke mos përjashtuar as dërgimin e njësive speciale në funksion të këtij qëllimi.
Si pasojë e përplasjeve të tilla pashmangshëm do të agravoheshin deri në ekstrem tensionet ndëretnike. Dhe në këtë klimë hipernacionaliste nuk ka dyshim se përfitues i vetëm elekoralisht do të ishte Albin Kurti. Këtu nuk duhet përjashtuar as hipotezën se përshkallëzimi i sigurisë në komunat veriore është edhe interes taktik i liderit serb, Aleksandër Vuciq. Ngase edhe ky i fundit është duke u përballur me presione të brendshme strukturore, që nga protestat masive qytetare kundër regjimit të tij, e deri te sanksionimi amerikan i Industrisë së Naftës, (NIS) për shkak të aksioneve ruse. Prandaj lideri serb i ka jetike fitore të tilla politike, gjoja nw mbrojtje të serbëve Kosovës, për ta ushqyer me retorikw nacionaliste populiste bazën e tij elektorale. Po ashtu përfituese tjetër në këtë rast do të ishte dhe Lista Serbe, sepse në sytë qytetarë të këtij komuniteti, ajo do të dëshmohej si forca e vetme politike që po lufton në mbrojtje të të drejtave kulturore dhe nacionale të serbëve në Kosovë, për çka edhe po persekutohet nga Prishtina zyrtare.
Nën presionin e këtyre zhvillimeve nuk është pamundur që Albin Kurti t’i fitojë 500 mijë vota. Natyrisht, humbësi më i madh i zhvillimeve të tilla do të ishte Republika e Kosovës. E para kriza do të zhvillohej në territorin e saj, dhe dyta ajo do ta thellonte edhe më tej antagonizmin shtetit me partnerët perëndimorë. Megjithatë, tashmë ka kohë që kemi hyrë në atë vorbull ku kolizioni i interesave elektorale të partive politike dhe atyre shtetërore po thellohet dita ditës. /TV Arbëria