Gazetari Jusuf Bytyqi ka deklaruar se Qeveria Kurti ka tejkaluar mandatin e saj kushtetues dhe po vazhdon të ushtrojë kompetenca të plota edhe pse është në largim. Në emisionin “N’Pult” në Arberia TV, Bytyqi tha se ky veprim përbën shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Supreme.
“Jo vetëm që ka kaluar mandati i plotë katërvjeçar i kësaj qeverisje, e cila fatkeqësisht është duke e shkelur kushtetutën, sepse janë betuar të gjithë, përfshirë kryeministri në largim, edhe ministrat janë betuar edhe si deputetë njëkohësisht”, tha Bytyqi.
Sipas tij, “këta pra, sipas Gjykatës Supreme, janë në shkelje të vendimeve si ekzekutiv edhe njëkohësisht si deputet”.
Bytyqi theksoi se përveç mandatit kushtetues katërvjeçar, “po kalon edhe 7 apo 8 muaj nga 9 shkurti që kjo qeveri po i kryen detyrat me të gjitha kapacitetet, pra ndonëse është qeveri në largim apo dorëheqje, kjo po merr vendime për të gjitha çështjet”.
Ai përmendi se Qeveria Kurti ka vazhduar të marrë vendime të rëndësishme edhe gjatë fushatës zgjedhore.
“Ka bërë emërime edhe shkarkime, ka bërë edhe ngritje të koeficientit për çështje sociale, ka dhënë ndihma për studentët e shumë të tjera, pikërisht në kohën e fushatës. Madje një ditë apo dy para 12 tetorit mori një vendim për t’i shtyer ato ndihma sociale të kategorive të ndryshme”.
Sipas gazetarit, kjo qasje tregon “arrogancë dhe sjellje të papërgjegjshme” nga ana e kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij.
“Vetë klima e ndërtuar nga kjo qeveri me Albin Kurtin si kryeministër, po edhe fushata para 9 shkurtit të këtij viti, ishte krejt arrogancë, sjellje e papërgjegjshme edhe sikur nuk mendonte se herët apo vonë ti ki nevojë për ata njerëz që i ke fyer me arrogancën, me sjelljet e papërgjegjshme”, u shpreh Bytyqi.
Ai shtoi se kryeministri Kurti “nuk e ka besuar se njerëzit do t’i thonë ‘mjaft është mjaft’”.
“Sikur nuk e dinte se njerëzit kanë parime. Kur të thotë ‘hajvan’, si i drejtohesh ti? Pra vetë klima, tensionet, arroganca, sjelljet e tilla kanë ndikuar që të mos i ketë votat”, u shpreh Bytyqi.