Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Junikut.
Sipas Leonard Llollunit, kryetar i degës së AAK-së në Junik, kjo marrëveshje synon krijimin e një qeverisjeje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme, me fokus kryesor tek interesi i qytetarëve.
“Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak”, ka thënë Llolluni.