Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar ndaj mundësisë që një qeveri e dalë nga një Kuvend paraprak të propozojë buxhetin për një Kuvend të ri, duke e cilësuar këtë si “zhvleftësim brutal të demokracisë dhe zgjedhjeve”.
Në një reagim të tij publik, Kasolli theksoi se e drejta për të propozuar dhe miratuar buxhetin i takon ekskluzivisht një qeverie legjitime të zgjedhur nga Kuvendi aktual, e jo një qeverie që ka përfunduar mandatin.
“Madje, për dallim nga disa organizata të shoqërisë civile që e kanë arsyetuar këtë veprim, më ‘modest’ në këtë drejtim u tregua vetë ministri Hekuran Murati, i cili deklaroi se mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 rrezikon ta lërë vendin pa buxhet. Por, buxheti është ligji themelor i një qeverie, dhe nuk është rastësi që me mosmiratimin e tij bie edhe qeveria”, ka shkruar Kasolli.
Ai shtoi se, sipas vendimeve të fundit të Gjykatës Supreme, ministrat që janë deputetë nuk kanë të drejtë të marrin vendime të kësaj natyre, duke e cilësuar çdo veprim të tillë si tejkalim të kompetencave.
Kasolli paralajmëroi se nëse tolerohen “abuzime të tilla”, atëherë demokracia parlamentare në Kosovë do të humbë kuptimin e saj.
“Nëse kjo ndodh, atëherë nuk ka më nevojë për zgjedhje çdo katër vjet — Kosova duhet të shndërrohet në monarki dhe Albin Kurti të shpallet sundimtar i përjetshëm”, ka përfunduar ai me ironi.