Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për Arbëria TV ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar atë si të padenjë për një shtet demokratik si Kosova. Sipas tij, bllokada dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet partive politike ka krijuar një gjendje shqetësuese që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit.
“Është për keqardhje gjendja politike në të cilën ndodhet shteti ynë tash e sa kohë. As futurologët nuk do ta kishin parashikuar një situatë kaq bllokuese dhe mosbashkëpunuese mes partive politike,” ka deklaruar Berisha.
Ai ka theksuar se takimet ndërmjet subjekteve politike, si ato të sotme apo të nesërme, janë normale dhe të domosdoshme për të dalë nga ky ngërç i panevojshëm dhe i dëmshëm për shtetin dhe qytetarët. Berisha ka bërë thirrje që partitë, veçanërisht ato kryesore, të lënë mënjanë inatet dhe interesat e ngushta, duke vepruar me përgjegjësi për interesin shtetëror dhe qytetar.
“Kërkohet vetëdijesim politik nga të gjithë, në mënyrë që shteti të mos ketë regres në fusha të rëndësishme si siguria, diplomacia, ekonomia dhe jeta e qytetarëve,” ka theksuar ai. Sipas ekspertit të sigurisë, mungesa e presionit ndërkombëtar ka bërë që partitë të mos gjejnë forcën e brendshme për kompromis dhe marrëveshje.
“Ngërçet e tilla kanë ekzistuar edhe më herët, por atëherë zgjidheshin nën presionin e përfaqësuesve të ambasadave. Sot, pa atë presion, partitë nuk po arrijnë të merren vesh për të mirën e vendit,” ka shtuar Berisha.
Në fund, ai ka nënvizuar se në politikë nuk ka “vija të kuqe” kur është në pyetje interesi shtetëror, duke apeluar që bashkëpunimi dhe koalicionet të shihen si pjesë normale e sistemit demokratik. “Çdo takim ndërmjet partive politike është në frymën e demokracisë dhe në interes të zhbllokimit të ngërçit politik që po e dëmton drejtpërdrejt Kosovën,” ka përfunduar Berisha.