Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po kolapson Kosova financiarisht?

A po kolapson Kosova financiarisht?

Moskrijimi i qeverisë së re të Kosovës, tashmë tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, po ngre shqetësime serioze për kolaps financiar në vend.

Sipas ekspertëve, nëse kjo situatë vazhdon, Kosova rrezikon të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të miratuar.

Eksperti i financave, Haki Shatri, ka ngritur alarmin për këtë gjendje, duke paralajmëruar se shteti mund të përballet me falimentim nëse nuk miratohet buxheti në kohë.

Edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shprehur shqetësim të ngjashëm. Ai ka deklaruar se pas mosvotimit të Qeverisë Kurti 3, rrezikohet procesi i hartimit dhe miratimit të buxhetit, zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së, si dhe funksionimi i institucioneve të pavarura.

A mund të miratohet buxheti nga qeveria në detyrë?

Sipas Gzim Shalës, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), qeveria në detyrë nuk ka kompetencë ligjore të propozojë buxhetin.

“As Kuvendi nuk mund ta miratojë buxhetin e propozuar nga një qeveri në detyrë. Ligji për qeverinë përcakton qartë se vetëm qeveria në dorëheqje ka të drejtë të bëjë një propozim të tillë”, ka deklaruar Shala.

Si pasojë e mosformimit të qeverisë së re, nga data 1 janar 2026 vendi rrezikon të mbetet pa buxhet funksional.

“Nëse kjo ndodh, asnjë procedurë pagese nuk mund të realizohet pa një vendim të Kuvendit. Kjo do të thotë se do të ndalohen pagesat për paga, pensione, karburante për Policinë dhe Ushtrinë, si dhe furnizimet me materiale të institucioneve publike”, ka theksuar Shatri.

Ai e ka përshkruar situatën si një paralizim total të shtetit:

“Praktikisht, i bie vënia e drynit shtetit,” ka përfunduar Shatri. /TV Arbëria