Amina Nuraj ka shpallur me krenari hapjen e portalit të ri “ShqipSanxhak”, një platformë që synon të ngrejë lart zërin, historinë dhe identitetin shqiptar në Sanxhak.
Ky portal lind si një dritare shprese dhe vetëdije kombëtare, duke sjellë të vërteta, analiza dhe rrëfime që pasqyrojnë shpirtin shqiptar në këtë trevë me rëndësi historike shkruan Kosova ime.
“ShqipSanxhak” vjen si një mision kulturor dhe kombëtar – jo vetëm për të informuar, por për të lidhur brezat me rrënjët e tyre dhe për të forcuar ndjenjën e përkatësisë. Ky është një hap i madh drejt konsolidimit të zërit shqiptar në Sanxhak, me synimin që ai të dëgjohet më fuqishëm se kurrë më parë.
Postimi i plotë:
Dikur e gjithë kjo ishte vetëm ëndrra ime, dhe sot gjithçka po shndërrohet në realitet!
Me zemër të mbushur me krenari dhe shpresë, ju drejtohem sot për të ndarë një lajm të veçantë: lindjen e portalit tonë “ShqipSanxhak” – një dritare e re që hapet për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, të flasin dhe të ndjejnë shqip, nga zemra e Sanxhakut.
Ky portal nuk është thjesht një faqe lajmesh, por një thirrje për kujtesë, për rrënjë dhe për identitet. Është një zë i ri për një të vërtetë të vjetër – se edhe këtu, në këtë cep të harruar shpesh nga ana e dy shtetave tona, rrah një zemër shqiptare që nuk ndalet së dashuri gjuhën, kulturën dhe të kaluarën tonë.
“ShqipSanxhak” vjen si nevojë, si obligim moral dhe si amanet brezash – për të ruajtur atë që është e jona dhe për të ndriçuar rrugën për ata që do vijnë pas nesh.
Ky është një hap i parë, por jo i fundit. Me besim te Zoti, me mbështetjen e njerëzve të mirë dhe me përkushtimin tonë të palëkundur, do të vazhdojmë ta rrisim këtë zë, ta bëjmë më të fuqishëm, më të pastër dhe më të drejtë.
Me respekt dhe dashuri,
Amina Nuraj