Elbert Krasniqi, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit lokal, kryetar i partisë egjiptiane Nisma e Re Demokratike e Kosovës, thotë se “sot humbi Kosova, humbi edhe komuniteti egjiptian”.
Ai e akuzoi kundërshtarin e tij politik nga komuniteti egjiptian, Veton Berishën e Partisë Liberale Egjiptiane se insistoi ta merrte një ministri.
“Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 është zhgënjyes për të gjithë ata që kanë besuar në bashkëpunim, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë. Qeveria Kurti 2 ka qenë një aleat i sinqertë i komuniteteve pakicë, duke dëshmuar me vepra se barazia nënkupton dyanëshmëri. Në propozimin e kabinetit qeveritar sot nuk ishte emri im, si një mundësi për të marrë edhe votën e Veton Berishës. I motivuar nga inati e ego personale, veq emrit tim, ai rrefuzoi poashtu edhe një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian, duke insistuar vetëm në vetën e tij”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Deputeti tha se Berisha “tashmë po i rikthehet stilit të tij të njohur politik, atij të pazareve dhe shantazheve që e kemi mësuar që nga viti 2014”.
“Është koha e fundit të mësojmë se vendi duhet të jetë para të gjithëve, komuniteti para partisë, qytetari para politikës. Çdo kalkulim tjetër nuk na sjell as fuqi, as dinjitet – vetëm humbje. Në zgjedhjet e reja, komuniteti përmes votës do ta jap përgjigjen që ti e meriton, njejtë siç të janë përgjigjë për mosvotimin e qeverisë Kurtin 1 me 3 shkurt 2020 dhe votës për rrëzimin e qeverisë Kurti 1 më 25 mars 2020”, shkroi Krasniqi.