Në një postim të publikuar sot, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dështimit të formimit të Qeverisë “Kurti 3”.
Ajo tha se:
“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme, 26 tetor 2025, ma kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot nuk mundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3”.
Haxhiu akuzoi Klubin e Stërvjetëruar Politik dhe Listën Serbe për pengimin e votimit.
“Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre”.
Sipas saj, kjo është një situatë e përkohshme dhe VV-ja do të kthehet.
“Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme. Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë”.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm”.