Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka komentuar për Arbëria TV zhvillimet e fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe çështja e Kosovës. Ai e ka vlerësuar lartë fjalimin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duke e cilësuar atë si një paraqitje dinjitoze dhe përfaqësuese të realitetit të vendit.
“Paraqitja e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit, ishte tej reprezentative, duke i treguar botës se e vërteta për Kosovën nuk është si e paraqet Serbia”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Serbia, “që nga paslufta e deri më tani, nuk e ka ndalur luftën hibride ndaj Kosovës”, ndërsa Kosova “do të rrugëtojë së bashku me shtetet mike drejt integrimit të saj euroatlantik”.
Duke iu referuar propagandës serbe dhe përdorimit të termit “Kosovo Metohija”, Berisha tha se ky është një “përpjekje për të mohuar identitetin shtetëror të Kosovës”, por theksoi se “e ardhmja e Kosovës është e pandalshme në rrugën e saj europerëndimore”.
Sa i përket kërkesave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, eksperti i sigurisë theksoi se “përkundër asaj që Franca kërkoi që Kosova të ndërmarrë hapat për themelimin e Asociacionit, prapë nuk shihet se mund të ketë rezultate pozitive në këtë drejtim”.
Ai shtoi se në diskutimet e Këshillit të Sigurimit “u kërkua respektim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa nga Serbia u kërkua që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
Në lidhje me mesazhin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për përfundimin e misionit të UNMIK-ut, Berisha tha: “Këto dy shtete janë mike të përhershme të Kosovës, duke na përkrahur vazhdimisht dhe duke argumentuar se Kosova, që nga viti 2008 me shpalljen e pavarësisë, është shtet me të gjitha institucionet e saj”.
Ai shtoi më tej se “prezenca e UNMIK-ut tashmë është e panevojshme dhe Këshilli i Sigurimit duhet të bëjë përpjekje për ta shfuqizuar këtë mision”, ndonëse pranoi se “një gjë e tillë aktualisht nuk mund të bëhet për shkak të së drejtës së vetos nga Kina dhe Rusia”.
Sa i përket çështjes së Milan Radoiçiqit dhe autorëve të tjerë të sulmit në Banjskë, Berisha theksoi se “Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit të 24 shtatorit 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku”.
Ai paralajmëroi se “situata momentale e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës është stabile, por ekziston mundësia të përsëritet ndonjë situatë e ngjashme si ajo e 24 shtatorit”, duke shtuar se “duhet vigjilencë e vazhdueshme edhe pse grupet terroriste dolën humbës, pasi nuk ka përfunduar gjithçka në raport me grupet kriminale e terroriste”.
Në fund, eksperti Berisha komentoi edhe thirrjen e Britanisë së Madhe ndaj shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se “njohja e Kosovës është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe zhvillimin e plotë të vendit”.