Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Rasti “Banjska” vetëm 3 të arrestuar Radoiçiq në arrati/ Kabashi: Britania kërkon gjykim të tyre

Rasti “Banjska” vetëm 3 të arrestuar Radoiçiq në arrati/ Kabashi: Britania kërkon gjykim të tyre

Më shumë se një vit pas sulmit të armatosur në Banjskë, ku ishin në shënjestër 45 persona, përfshirë zyrtarë të Policisë së Kosovës, drejtësia në vend vazhdon të përballet me pengesa të mëdha. Nga të akuzuarit për këtë akt të rëndë, vetëm tre janë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, ndërsa të tjerët, përfshirë Millan Radoiçiqin, janë në arrati në Serbi.

Serbia deri më tani ka refuzuar të ekstradojë Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij, duke sfiduar hapur autoritetet e Kosovës dhe duke shfrytëzuar mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet dy shteteve. SHBA dhe Gjermania nuk kanë mbështetur drejtpërdrejt kërkesën për ekstradim, por kanë theksuar se përgjegjësia është e Beogradit, duke kërkuar që ajo të ndjekë penalisht të dyshuarit.

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se ky rast po e dëshmon qartë boshllëkun e madh në bashkëpunimin juridik mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, ky hendek po shfrytëzohet nga autorët e krimeve për të shmangur ndjekjen penale.

“Gjykimi duhet të ndodhë në vendin ku është kryer krimi. Ky është një parim themelor i drejtësisë,” u shpreh Kabashi. Ai kujton se edhe Britania e Madhe ka kërkuar që të dyshuarit të gjykohen, pa marrë parasysh vendin, por me theks të veçantë në garantimin e drejtësisë në Kosovë.

Kabashi shton se shteti i Kosovës duhet të intensifikojë përpjekjet për grumbullimin e provave dhe t’i përcjellë ato përmes rrugëve diplomatike, në mënyrë që presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë të rritet dhe drejtësia për viktimat e Banjskës të mos mbetet vetëm premtim politik. /TV Arbëria