Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dashevci: Deklaratat e Serbisë janë pjesë e një lufte hibride kundër Kosovës

Dashevci: Deklaratat e Serbisë janë pjesë e një lufte hibride kundër Kosovës

Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pati përplasje mes ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe homologut të saj serb, Marko Gjuriq. Ky i fundit foli për “militarizim të Kosovës” dhe për “drone kamikaze” të vendosur, sipas tij, në Aeroportin e Prishtinës, duke i cilësuar si kërcënim për sigurinë rajonale.

Në lidhje me këto deklarata, për “Arberia TV” ka folur eksperti i Sigurisë, Arben Dashevci.

“Gjatë mbledhjes së mbrëmshme pati përplasje dhe nuk është e para herë, ka ndodhur edhe shumë herë përpara duke pasur parasysh qasjen propaganduese serbe ndaj Republikës së Kosovës dhe kësaj radhe ndodhi ndërmjet ministres së Jashtme të Kosovës dhe homologut të saj serb, Marko Gjuriq”.

Sipas tij, “Gjuriq foli dhe flet për ‘militarizim të Kosovës’, për ‘drone kamikaze’ të vendosur në Aeroportin e Prishtinës, duke i cilësuar këto si kërcënim për sigurinë rajonale, kurse nuk i përmend assesi armatosjen e saj nga Rusia dhe Kina. Këtë bota demokratike e dinë fare mirë, dhe unë mendoj që kjo qasje e përsëritur e Serbisë nuk kalon dhe nuk i beson askush nga vendet pjesëmarrëse aty”.

Dashevci theksoi se: “Kosova nuk paraqet rrezik për askënd në rajon, nuk e ka sulmuar kurrë në historinë e saj askënd, është Serbia shkaktare e çdo lufte në rajon dhe ky është fakt. Pra Serbia si shtet krijon gënjeshtrën, i besojnë asaj dhe e shpërndajnë atë, kjo është qasja e Serbisë mendoj unë”.

Ai shtoi se këto deklarata duhen parë qartë si pjesë e një strategjie dezinformuese.

“Këto deklarata duhen lexuar nga aspekti i sigurisë si propagandë, dezinformata dhe luftë e egër hibride dhe si të tilla edhe duhet të merren parasysh. Këto deklarata të tyre assesi dhe në asnjë rast nuk janë pretendime reale, janë vetëm pjesë e një strategjie propagandistike për ta paraqitur Kosovën si faktor destabiliteti në rajon”, u shpreh Dashevci.

Në fund, Dashevci theksoi: “Kosova është e pranuar nga 118 shtete në botë. Shtetet më të forta në botë kanë ambasadat te ne, monitorojnë gjendjen faktike, pra nuk ka rrezik sigurie – këtë e thotë SHBA, Franca, Mbretëria e Bashkuar, andaj propaganda serbe nuk kalon”.