Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka reaguar lidhur me publikimin e hetimeve nga mediat zvicerane për grupin e njohur si “Vëllezërit e Gjenevës”, që dyshohet për financim të strukturave ekstremiste në Kosovë dhe përpjekje për të korruptuar zyrtarë të drejtësisë.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Elezi ka theksuar se mashtrimet financiare dhe përpjekjet për të ndikuar në sistemin e drejtësisë përmes korrupsionit përbëjnë “një goditje të rëndë për drejtësinë dhe sigurinë e Kosovës”.
Sipas tij, fakti që fondet e mbledhura nga ky grup janë përdorur për të lehtësuar dënimet e personave të akuzuar për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut, nëse vërtetohet, paraqet një rrezik të madh për rendin dhe sigurinë kombëtare.
“Ky është një test për shtetin e Kosovës, për aftësinë e tij që të mbrojë integritetin e drejtësisë dhe të ruajë standardet që kërkohen nga aleatët ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit”, ka shkruar Elezi.
Ai ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe institucionet e sigurisë që të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis, duke hetuar me transparencë çdo zyrtar që mund të jetë përfshirë në këtë aferë.
“Heshtja apo vonesat vetëm sa do të thellojnë krizën e besimit në institucione dhe do ta dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, ka përfunduar Elezi.