Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë gjatë një kontrolli rutinor të zhvilluar mbrëmjen e 21 tetorit në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, në të cilën ndodheshin një shtetas kosovar – drejtues i automjetit, dhe një shtetas i huaj si pasagjer.
Gjatë kontrollit, pasagjeri i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar pas reagimit të shpejtë të policisë. Ai dyshohet se ka rezistuar në mënyrë agresive ndaj zyrtarëve policorë.
Tek i njëjti janë gjetur dy pako të mbështjella me substancë të bardhë, të dyshuar si kokainë, me peshë totale 2,270.6 gramë, si dhe janë sekuestruar 12,550 euro para të gatshme, 1,000 euro shtesë dhe një telefon mobil.
Në vendngjarje kanë dalë hetues nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ndërsa me urdhër të prokurorit kompetent është kryer kontroll edhe në shtëpinë e shtetasit kosovar, ku nuk është gjetur asnjë material i dyshimtë.
Të dy të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të prokurorit të rastit.