Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Shtime, i dyshuar për vjedhjen e 24 mijë e 800 eurove nga banesa e babait të tij, në rrugën “14 Dhjetori”.
Sipas njoftimit zyrtar, ankuesi – një shtetas i Kosovës që jeton dhe punon jashtë vendit – më 19 tetor kishte raportuar në polici mungesën e parave të mbajtura në banesë, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë periudhës nga 22 gushti deri më 18 tetor të këtij viti.
Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, policia nuk ka gjetur shenja thyerjeje apo dëmtime që do të tregonin hyrje me forcë. Pas hetimeve intensive, më 21 tetor është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari B.N. (34 vjeç), djali i ankuesit.
Në prani të avokatit mbrojtës, i arrestuari ka pranuar se e ka kryer veprën penale. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.