Një instruktore e një auto-shkolle në Ferizaj është gjobitur nga Policia e Kosovës, pasi kandidatja që po kryente ushtrime praktike u kap duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.
Sipas Policisë, gjatë lëvizjes kandidatja u kap në flagrancë duke përdorur celularin, gjë që përbën kundërvajtje sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Për këtë arsye, përgjegjësinë e mbajti instruktorja, e cila sipas ligjit është përgjegjëse për veprimet e kandidatit gjatë ushtrimeve.
Asaj iu shqiptua një gjobë prej 200 eurosh, 2 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për tre muaj, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186.
Policia ka bërë të ditur se instruktorja në fjalë është evidentuar edhe më parë për shkelje të ngjashme, duke u kapur sërish duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.
Vetëm në 24 orët e fundit, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 14 gjoba për shoferë që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.