Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot nga ora 09:30, vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët po përballen me akuzën për kryerjen e veprës penale të terrorizmit në rastin e njohur si “Banjskë”.
Në seancën e së hënës, dëshmitari anonim me kodin “A2” u dëgjua në një seancë të mbyllur për publikun, pas miratimit nga ana e trupit gjykues të propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e identitetit dhe sigurisë së tij.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, deklaroi se vendimi për mbylljen e seancës u mor pasi u dëgjua edhe qëndrimi i mbrojtjes, duke u bazuar në nevojën për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarit.
Prokurori special, Naim Abazi, tha se kërkesa është bërë në përputhje me dispozitat e kapitullit XIII të Kodit të Procedurës Penale që rregullojnë mbrojtjen e dëshmitarëve anonimë. Ai sqaroi se përmbajtja e dëshmisë së “A2” përfshin rrethana që, në rast të publikimit, mund të cenojnë sigurinë e dëshmitarit dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.
Kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja. Avokati i të akuzuarit Spasojeviq, Lubomir Pantoviq, deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur arsye konkrete që justifikojnë përjashtimin e publikut dhe kërkoi refuzimin e propozimit.
Dëshmitari “A2” është një nga tre dëshmitarët anonimë të propozuar në këtë proces, përkrah “F1” dhe “X1”.
Spasojeviq, Toliq e Maksimoviq, përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.