Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Osmani në marshin për Tetorin Rozë: Përbashkimi shndërrohet në shpresë

Osmani në marshin për Tetorin Rozë: Përbashkimi shndërrohet në shpresë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në marshin e Tetorit Rozë, muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ajo u bashkua me gratë dhe burrat që kanë mbijetuar këtë sëmundje, aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen për ta çdo ditë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përkrahjes.

“Bashkë me gratë e burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, u bëmë bashkë sot në marshin për Tetorin Rozë për të treguar se përbashkimi shndërrohet në shpresë,” tha Osmani.

Presidentja shtoi se Tetori Rozë është muaji kur kujtohet se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, kujdes dhe qëndresë.

“Sot, sikur çdo vjet, jemi bashkuar për ta dërguar një mesazh të fuqishëm: le ta mbështesim çdo grua e burrë dhe të mos ndalemi kurrë derisa çdo betejë me kancerin të shndërrohet në histori suksesi,” u shpreh ajo.

Sipas të dhënave nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti u regjistruan 330 raste të reja me kancer të gjirit, përfshirë edhe tre burra.