Federata e Futbollit e Sllovenisë ka njoftuar të hënën se nuk ka më bileta të disponueshme për ndeshjen ndaj Kosovës, e cila zhvillohet më 15 nëntor dhe është pjesë e kualifikuesve për Kampionatin Botëror 2026.
“Ndeshja kualifikuese mes Sllovenisë dhe Kosovës tashmë është e shitur plotësisht. Më pak se një muaj para zhvillimit të saj, të gjitha biletat janë shpërndarë,” thuhet në komunikatën e federatës sllovene.
Sipas njoftimit zyrtar, hyrja në stadium do të jetë e kufizuar për tifozët që mbajnë simbolet e shteteve apo ekipeve të tjera, përveç sektorit të rezervuar për përkrahësit e Kosovës.