Me synim për të rritur efikasitetin në punën e policëve të lagjes, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka ndarë 19 vetura të reja hibride për mbulimin e zonave sektoriale në të gjitha drejtoritë rajonale të vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare, ku thuhet se ky hap është pjesë e zbatimit të Strategjisë së Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi.
“Përmbushja e objektivave të Strategjisë së Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, si dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes me automjete zyrtare,” thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, ky veprim përforcon qasjen proaktive ndaj komunitetit, duke ndihmuar në rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët.
“Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj komunitetit, për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale,” thuhet në fund të komunikatës.