Ish-kryetari degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Hysni Gërguri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në degë, ku kryetari aktual i degës Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për krijimin e një koalicioni lokal me Vetëvendosjen pa konsultuar organet e partisë.
Në reagimin e tij, Gërguri e ka cilësuar këtë veprim si në kundërshtim me Statutin e LDK-së dhe si një akt që “bie ndesh me frymën institucionale dhe demokracinë e brendshme të partisë”.
Ai ka theksuar se edhe qendra e LDK-së ka reaguar qartë duke mos e mbështetur këtë lëvizje, çka sipas tij e bën të domosdoshëm “kthimin në rrugën e rregullt statutare”.
“Si ish kryetar shumëvjeqar i Degës dhe Kryetar Nderi i Degës së LDK-së në Vushtrri, ndjej detyrim moral dhe politik të shpreh qëndrimin tim lidhur me veprimet e fundit të kryetarit aktual të degës, i cili ka ndërmarrë hapa për krijimin e një koalicioni pa konsultuar organet e partisë dhe në kundërshtim me statutin e LDK-së. Ky veprim, përveçse bie ndesh me frymën institucionale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëmton parimet e demokracisë së brendshme dhe respektin ndaj strukturave legjitime të partisë.Sot edhe qendra e LDK-së reagoi qartë duke mos e mbështetur një veprim të tillë, gjë që e bën edhe më të domosdoshme kthimin në rrugën e rregullt statutare”, shkroi Gërguri.