Ekspedita e motoristëve shqiptarë ka mbërritur në Hagë pas katër ditësh udhëtimi, në shenjë përkrahjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili ka dhënë deklarata të forta nga kryeqyteti holandez.
Haradinaj ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të ndikuar politikisht.
“Kjo gjykatë është politike dhe kriminale. Është krijuar nga gjyqtarët më të dështuar në Kosovë,” deklaroi ai për mediat.
Ai theksoi se qëllimi i ekspeditës është një thirrje për drejtësi dhe bashkim përmes mesazhit simbolik “Liria ka Emër”.
“Britma e motorëve është thirrje për drejtësi. ‘Liria ka Emër’ është ajo që i bashkon shqiptarët pa dallime ideje, krahine apo feje – dhe ka bashkuar edhe njerëz ndërkombëtarë të tjerë,” u shpreh Haradinaj.
Ai përfundoi duke theksuar se figurat që po gjykohen në Hagë janë “ata që përfaqësojnë themelet e lirisë dhe të kombit shqiptar”, duke shprehur bindjen se shqiptarët do të qëndrojnë të bashkuar përballë padrejtësive.