Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bastisje në Zubin Potok dhe Zveçan: Policia dhe Prokuroria zhvillojnë operacion në lidhje me vrasjen e zyrtarit të EULEX-it

Bastisje në Zubin Potok dhe Zveçan: Policia dhe Prokuroria zhvillojnë operacion në lidhje me vrasjen e zyrtarit të EULEX-it

Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, është zhvilluar një operacion i gjerë policor në komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit, në kuadër të hetimeve për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, A.S.

Operacioni, i cili është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka përfshirë bastisje në dy lokacione në Zveçan dhe shtatë në Zubin Potok. Bastisjet janë kryer në kuadër të hetimeve për disa vepra të rënda penale: rrezikimi i personelit të Kombeve të Bashkuara ose atyre në marrëdhënie me to, vrasje të rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit janë shoqëruar në polici shtatë persona, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar materiale të dyshimta që mund të ndihmojnë hetimin, përfshirë dy armë zjarri, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje elektronike.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se ky operacion paraqet një hap të rëndësishëm drejt identifikimit të provave dhe përgjegjësve të mundshëm.