Arben Dashevci, ekspert i sigurisë, ka dhënë një vlerësim për reagimin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, e cila e quajti aksionin e fundit të Prokurorisë Speciale në komunat veriore një “hakmarrje” të Albin Kurtit.
Për Arberia TV, Dashevci tha se këtë reagim e vlerëson si vazhdim të luftës së egër hibride që Serbia po zhvillon ndaj Kosovës prej kohësh.
“Reagimin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, që e quajti aksionin një ‘hakmarrje’ të Albin Kurtit, në aspektin e sigurisë e vlerësoj si vazhdim e luftës së egër hibride që e zhvillon Serbia tash e shumë kohë kundrejt vendit tonë. E vlerësoj si zhvendosje të vëmendjes për qëllimet e tyre të brendshme politike, duke pasur parasysh sa destruktiv janë kundrejt Republikës së Kosovës”. tha Dashevci.
Ai shtoi se në Kosovë po zbatohet ligji në mënyrë legjitime: “Në Republikën e Kosovës po zbatohet ligji nga zbatuesit e ligjit, dhe veprojnë në mënyrë legale, ligjore dhe legjitime në tërë territorin e Kosovës, çdo rast trajtohet me seriozitet maksimal dhe profesional”.
Sa i përket qëllimeve të Serbisë me deklaratat e saj, Dashevci theksoi: “Serbia mendoj unë ka qenë pjesëmarrës gjithmonë në aktivitete kundrejt vendit tonë, kjo dihet tashmë dhe me këto reagime synon t’i mbuloj krimet me aktorët e saj kriminal në vendin tonë. Me deklarata të tilla dashakeqe synon të dezinformojë opinionin, propagandon me gënjeshtra, por unë mendoj që nuk mundet të arrijë asgjë dhe ta tjetërsoj të vërtetën me deklarata të tilla”.
Ai gjithashtu theksoi se deklaratat synojnë të nxisin tensione, por nuk kanë sukses: “Këto deklarata kanë për qëllim të nxisin tensione në pjesët matanë lumit Ibër apo të ushtrojnë presion ndërkombëtar ndaj Kosovës, por nuk mundet ta tjetërsoj të vërtetën asesi, nuk kanë as kapacitet dhe as rejting në aspektin e sigurisë së brendshme që të shkaktojnë ndonjë tension. Organet tona të sigurisë kanë kapacitetet e plota për veprim, nuk ka incidente etnike tash e sa vite, kanë besimin e qytetarëve pa dallim feje, race ose etnie. Veprojnë në 24/7 për të gjithë pa dallim”.
Në përfundim, Dashevci tha: “Andaj unë mendoj që çdo tentativë e kësaj zyre e dirixhuar nga establishmenti i kontaminuar në Serbi është e kotë dhe ka qëllim zhvendosje të vëmendjes”.