Pas zgjedhjeve lokale dhe menjëherë pas rezultatit jo në favor të PDK-së në komunën e Drenasit, brenda partisë është intensifikuar presioni për ndryshime në kryesinë e kësaj partie. Jo vetëm deputeti Nait Hasani ka bërë thirrje për dorëheqje, por edhe ish-deputetët Ardian Kastrati dhe Xhavit Haliti kanë shprehur kritika të forta ndaj udhëheqjes, duke bërë të qartë se duhet të ndryshojë kryesia e tanishme në PDK.
Komuna e Drenasit ishte tradicionalisht bastion i PDK-së. Por pas moskandidimit të Ramiz Lladrovcit për këtë komunë, si dhe humbja ose rezultati i dobët në këtë territor, konsiderohet nga disa brenda partisë si një alarm për situatën politike dhe humbjen e besimit nga baza elektorale.
Disa nga deklaratat kryesore:
Ardian Kastrati, ish-deputet i PDK-së, ka kritikuar ashpër kryetarin Krasniqi, duke theksuar se:
“Ritmi i rrugës duhet me japë dorëheqje, edhe me marrë mikrofonin e me iu kthy zanatit të tij të vjetër”
Xhavit Haliti, ka shprehur plotësisht mospajtim me disa zhvillime në parti. Ai është shprehur për mundësinë e ndryshimeve dhe kritikave të brendshme, duke thënë se:
“Memli s’është ma PDK se Ramizi… Në PDK duhen zgjedhje… s’ja ka lanë baba”, ka thënë Haliti.
Përveç tyre, Nait Hasani ka kërkuar qartë largimin e Krasniqit, me fjalët:
“Partia Demokratike ka bërë gabimin fillimisht që nuk e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar, pavarësisht rrethanave politike. Lladrovci ka shfrytëzuar të drejtën për ta gjetur elektoratin e PDK-së dhe për ta formuar iniciativën, e cila është pjesë e strukturës së PDK-së. Prandaj, fitorja e tij tregon suksesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Drenasit në mbrojtje të vlerave të tyre”
“Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty”, është shprehur Hasani. /TV Arbëria