Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga nata e 12 tetorit, kur u bë e ditur se Ramiz Lladrcovi i ka fituar zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Drenasit pa balatozh kundër kandidatit të PDK-së, Petrit Hajdari, ka shpërthyer një debat se a është i pari edhe më tej pjesë e PDK-së?
Vetë Ramiz Lladrovci jo vetëm pas sigurimit të votave për atë pozitë, por edhe pas mohimit të së drejtës së tij nga kryesia qendrore, që të jetë kandidat zyrtar i kësaj partie ka deklaruar, se askush nuk mund ta përjashtojë atw nga Partia Demokratike e Kosovës. Ndërkohë, i njëjti vazhdon të insistojë se i takon këtij subjekti politik, dhe se fitorja e tij vetëm sa do ta disiplinojë strukturën drejtuese të PDK-së. Madje ai së bashku më mbështetësit e tij në mënyrë triumfaliste ka hyrë në zyret që dega lokale e PDK-së në Drenas i ka shfrytëzuar dikur, duke përçuar mesazhin se ai është shprehje autentike e vullnetit politik të bazës elektorale të këtij subjekti në këtë komunë e jo kundërshtarët e brendshëm të tij.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi si dhe kandidati humbës zyrtar i PDK-së, Petrit Hajdari kanë deklaruar se Ramiz Lladrovci i ka ndarë rrugët politike me këtë parti dhe se ai nuk i takon më asaj. Sipas tyre, kryetari i Drenasit tashmë e ka formuar shtëpinë e tij politike, me anë të iniciativës Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrvocin dhe se nuk ka çka kërkon më tutje në partinë e dikurshme. Çuditërisht këtë tezë po e mbrojnë edhe shumë analistë në studio televizive.
Mirëpo, në anën tjetër shumë figura tjera të PDK-së, sikur se fituesi i shumëfishtë i zgjedhjeve pa balotazh në qytetin e Ferizajt, Agim Aliu ka deklaruar se Ramiz Lladrovci është një aset i rëndësishëm i këtij subjekti politik. Kurse disa nga emrat tradicionalë të PDK-së si Nait Hasani e deri te Xhavit Haliti, i kanë kritikuar ata që kanë marrë vendim për përjashtimin e Ramiz Llladrovcit nga gara nën logon e PDK-së si dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Memli Krasniqi për arsye morale për shkak të këtij dështimi. Kurse ky i fundit është arsyetuar se ajo lëvizje nuk është e tij personalisht, por e kryesisë partiake.
Sidoqoftë, këto dallime më shumë se asnjëherë tjetër kanë nxitur dilema se kush vendos në këtë parti se kujt i takon e drejta të jetë pjesë e saj. A është kjo prerogativë e një grupi të ngushtë, nën emrin e një kryesie pa mandat legal, sepse zgjedhjet në këtë subjekt nuk janë mbajtur më shumë se gjashtë vjet, apo ata që e përfaqësojnë bazën elektorale. Pra a i përcaktojnë kriteret e përkatësisë partiake, Memli Krasniqi, Aberlard Tahiri, Uran Ismali e deri të kukulla e tyre e re politike, Petrit Hajdari, të cilët e shpallin “veten njerëz të afërt të Partisë, më të afërt se të tjerët, më të besueshëm, njerëz të brendshëm të shtëpisë, kurse të tjerët të jashtëm, jo edhe aq të besuar” e të cilët deri më sot kanë fituar vetëm personalisht nga fitoret e tjerëve, apo ata që i fitojnë betejat politike sikur Bedri Hamza (ngase edhe ky i fundit ka qenë kundër atij zëvendësimi) e Agim Aliu.
Asnjëherë më shumë se në këtë kohë ky subjekt nuk ka qenë para një sprove vendimtare. Ai i takon ai klaneve financiare që e përdorin atë si trampolinë për t’i mirëmbajtur ato, apo atyre që e përfaqësojnë elektoratin e saj. /TV Arbëria