Biznesmeni Qëndrim Kryeziu, nga zemra e Tiranës ku po mbahet protesta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ka publikuar një reagim të fuqishëm në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë tubim jo thjesht si protestë, por si një moment vendimtar për unitetin kombëtar.
“Me Çlirimtarë në Tiranë, për një kërkesë të vetme – liri e drejtësi për Çlirimtarët tanë dhe për t’u treguar të gjithëve se jemi një dhe të pandarë, sepse sot në Tiranë nuk ka vetëm protestë!”, shkruan Kryeziu.
Ai thekson se kjo nuk është një ngjarje e zakonshme, por një “test për kombin”, me pasoja që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen kombëtare.
“Sot në Tiranë, për ata që e dinë dhe marrin vesh, nuk është protestë vetëm për Çlirimtarët tanë, por edhe një test për Kombin. Marsi nuk do të jetë i lehtë për Gadishullin ILIRIK!”, shton ai, duke paralajmëruar një periudhë të ngarkuar politikisht e historikisht.
Kryeziu ka cituar edhe një thënie të bashkëluftëtarit Agron Haradinaj: “Luftërat duhet t’i presim si dasma, përtej vendit s’kemi ku shkojmë.”
Ai ka rikujtuar mikpritjen që shqiptarët gjetën në vitin 1999 në Kukës, Tropojë, Tetovë dhe Shkup, ndërsa thekson se gjithçka varet nga qëndrimi i sotëm dhe uniteti përballë sfidave që mund të vijnë në vitet 2026–2027.