Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku, ka përfunduar një rrugëtim simbolik dhe të jashtëzakonshëm prej 260 kilometrash në këmbë nga Prishtina në Tiranë, në shenjë përkrahjeje për ish-luftëtarët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Pllashniku mbërriti në Tiranë në mëngjesin e sotëm dhe, në një lidhje direkte për Euronews Albania, deklaroi se kjo nismë ishte mënyra e tij për të shprehur solidaritet me “legjendarët që padrejtësisht po mbahen nën akuza të ngritura nga Beogradi”.
“Ndihem pak i lodhur, por jemi mirë. Në orën 10 kam hyrë te Sheshi Shqiponja. E mora këtë iniciativë për të përkrahur ata legjendarë që janë në Hagë, që mbahen padrejtësisht prej pesë vitesh me aktakuza të Beogradit. Po mendoj se po ia vlen, sepse ata kanë sakrifikuar për ne, shteti shqiptar ka sakrifikuar për ne,” u shpreh Pllashniku.
Veterani do të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar për sot, në orën 17:00, në kryeqytetin shqiptar – një tubim përkrahës për të gjithë luftëtarët e UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.