Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës nuk është shprehur i befasuar me fitoren e Ramiz Lladrovcit në Drenas në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Haliti ka theksuar se, edhe pse Lladrovci ka garuar me një subjekt tjetër politik, ai vazhdon të jetë pjesë e PDK-së, pasi sipas tij, në çdo parti liberale lejohen fraksionet.
Sipas Halitit, humbës në Drenas janë kryesia e PDK-së dhe kandidati i tyre për kryetar të kësaj komune, Petrit Hajdari, pasi siç tha ai ‘nuk i kanë llogaritur mirë gjërat’.
“Humbës janë Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryetar në Drenas, Petrit Hajdari. Pra, këta kanë humbur nga Ramizi. Nuk besoj se duhet të kenë ndonjë përgjegjësi, sepse edhe ata janë përpjekur ta mundin Ramizin. Të gjithë ata që morën pjesë në garë nuk ia kanë arritur, dhe tani rezultati është ky. Kryesia Qendrore e PDK-së, natyrisht, nuk i ka llogaritur gjërat mirë. Tani, se në çfarë rrethanash është marrë vendimi, kush ka qenë iniciator dhe kush ka insistuar për ta larguar Ramizin nga kandidatura për këtë ka shumë për të diskutuar. Ata e dinë më mirë pse e kanë marrë atë vendim, edhe Ramizi e di më mirë se ata dhe se unë. Nuk besoj se ai do të heshtë”, ka theksuar Haliti.