Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mesazhe të qarta nga Brukseli: Ursula von der Leyen kërkon institucione funksionale në Kosovë

Mesazhe të qarta nga Brukseli: Ursula von der Leyen kërkon institucione funksionale në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë si pjesë e turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin e përmbyll në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ajo është takuar fillimisht me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në objektin presidencial, dhe më pas me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, takim që u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në “X”, Von der Leyen theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta, të ulë tensionet politike dhe të finalizojë hapat për të përfituar nga Plani i Rritjes për rajonin.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, dhe të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi Von der Leyen.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit, theksoi përmes një postimi në Facebook se diskutimet u fokusuan në heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, në procesin e integrimit evropian dhe në zbatimin e Planit të Rritjes.

“Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore,” shkroi Osmani.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, shprehu nderimin për vizitën dhe theksoi rëndësinë e saj në këtë fazë të ndjeshme për Kosovën.

Pas vizitës në Kosovë, Von der Leyen u nis për në Shkup, për ta përmbyllur turneun e saj rajonal.

Ndërkohë, reagimet politike pas vizitës nuk munguan. Ish-kryenegociatorja për dialogun Kosovë–Serbi, Edita Tahiri, tha se mënyra e takimeve tregoi se BE-ja nuk e njeh Kurtin si kryeministër legjitim, pasi – sipas saj – Von der Leyen e takoi atë në cilësinë e deputetit.

“Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i tregoi Kurtit se është kryeministër ilegal, e takoi si deputet – ndërsa Osmanin e bëri jo vetëm të flasë por edhe të pranojë se vendi është dëmtuar gati një vit pa institucione qeverisëse,” shkroi Tahiri.