Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PDK shpenzon mbi 934 mijë euro gjatë fushatës, me deficit mbi 375 mijë euro – Auditori: Pasqyrat janë në përputhje me ligjin

PDK shpenzon mbi 934 mijë euro gjatë fushatës, me deficit mbi 375 mijë euro – Auditori: Pasqyrat janë në përputhje me ligjin

Auditori i Pavarur ka publikuar raportin mbi deklarimet financiare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për fushatën zgjedhore për Kuvendin e Kosovës të mbajtur më 9 shkurt 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës nga 16 gusht 2024 deri më 9 shkurt 2025, PDK ka grumbulluar gjithsej 559,062.98 euro të hyra, ndërsa ka deklaruar shpenzime në vlerë prej 934,749.39 euro, duke rezultuar me një deficit prej 375,686.41 euro.

Nga totali i shpenzimeve, afro 460 mijë euro janë shpenzuar për reklama, reprezentacion dhe organizim konferencash, ndërsa një shumë tjetër prej 475,548 euro është regjistruar si “shpenzime të përgjithshme”, pa ndonjë specifikim më të detajuar në raport.

Pavarësisht këtij disbalanci të madh mes të hyrave dhe shpenzimeve, Auditori i Pavarur ka dhënë një opinion të pastër, duke theksuar se pasqyrat financiare të PDK-së “paraqesin një pamje të vërtetë dhe të drejtë në të gjitha aspektet materiale”.

Në njoftimin e Auditorit thuhet se auditimi është realizuar në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA-të), dhe se gjatë procesit ata kanë ruajtur pavarësinë dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve etike sipas Kodit të Etikës për profesionistët kontabël (BSNEPK).

“Ne besojmë se evidenca e auditimit që kemi siguruar është e mjaftueshme dhe e përshtatshme për të dhënë një bazë për opinionin tonë,” thuhet në deklaratën e Auditorit të Pavarur.