Gazetari Jusuf Bytyqi ka qenë i ftuar në emisionin “Pult” në Arbëria TV, i cili bëri një analizë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 12 tetor, ka theksuar se kryetarët aktualë të komunave, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, janë favoritë për të shtyrë garën.
“Të gjithë kryetarët aktualë të komunave janë favorit, pavarësisht cilitdo subjekt qoftë ai, janë favorit dhe po thuajse më shumë se 90% doli ashtu…”
Bytyqi vuri në dukje rastin e Fushë Kosovës, ku ndryshimi mund të vërehej sepse Besnik Osmani ishte kandidat i ri dhe nuk kishte qenë më parë kryetar. Ndërsa kandidatët e tjerë, sipas tij, iu kanë shfrytëzuar avantazhit të pozitës edhe në raste që nuk kaluan direkt pa balotazh.
“Kandidatët e tjerë janë ata të njëjtit në çdo komunë, kryetarët ekzistues kanë fituar; edhe nëse nuk kanë kaluar pa balotazh, të paktën janë në balotazh”.
Ai gjithashtu përmendi Komunën e Mitrovicës si një rast me një diferencë të ngushtë.
“…qoftë edhe aty ku nuk ka rezultat bindës sikurse është rasti i Mitrovicës, në të cilin janë shumë pak vota, dhjetëra vota bëjnë dallimin prap është favorit kandidati që ka dalur i pari”.
Për Prishtinën, Bytyqi thekson se Përparim Rama është favoriti, por priste që Uran Ismaili të rritet në vota — ajo që sipas tij edhe ka ndodhur:
“Edhe për Prishtinën po ta them se do të jetë Përparim Rama favorit, por pritjet se do të ngritet Uran Ismaili në vota, i kam pasur dhe ashtu ndodhi, pra ka goxha një rritje të rëndësishme”.
Sa i përket kandidatëve që kërkuan rizgjedhje:
“Ndërsa për komuna siç është rasti me riciklimin e kandidatëve, pra kandidatët që kanë pasur mandatin e kryetarit të komunës, siç është rasti i Shukri Bujës e kam ditur saktë se do të jetë humbës i kësaj gare”.