Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për Arberia TV, ka komentuar zhvillimet pas mandatimit të Albin Kurtit nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, duke thënë se meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka numrat e mjaftueshëm për shumicën në Kuvend, vendi përballet me një situatë të ndjeshme politike.
“Zgjedhjet komunale, dëshmuan se mosbashkëpunimi i vazhdueshëm i partive politike shqiptare, ka frustëruar aq shumë qytetarët, sa që-siç e pamë edhe në votimet e fundit lokale, në to, morën pjesë vetëm një numër simbolik i tyre,” ka deklaruar Qarri.
“Prandaj është koha e fundit dhe momenti vendimtar, që partitë politike shqiptare t’i thirrin mendjes, e t’i lënë anash inatet e ndasitë partiake dhe të bashkëpunojnë, duke vendosur para interesave të partive, interesat e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.”
Ai ka përmendur rastin e votimit të Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet partive shqiptare.
“Se bashkëpunimi ndërmjet partive politike shqiptare bën ‘mrekulli’, e dëshmoi edhe rasti i votimit të LDK-së për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe, akt i cili mundësoi që të respektohen afati i caktuar dhe kornizat e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
Qarri thekson se me këtë veprim u tejkalua ngërçi politik.
“Pas më tepër se 8 muajve të kaluar nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit 2025, u tejkalua ngërçi politik dhe përfundimisht u konstituua Kuvendi si organi më i lartë legjislativ i shtetit të Kosovës”.
Më tej, ai shton se konstituimi i Kuvendit ka hapur rrugë për mandatimin e Kurtit nga presidentja Osmani, por që LVV e vetme nuk i ka numrat.
“LDK dha kontributin e saj institucional për konstituimin e Kuvendit, ka gjasa, apo edhe sinjale simbolike, se me insistimin edhe të një pjese të faktorit ndërkombëtar që ia duan të mirën Kosovës, LDK ta ndjek shembullin e treguar në Kuvend dhe të kontribuojë edhe për krijimin e Qeverisë.”
Sipas Qarrit, partnerë të tjerë të mundshëm për bashkëqeverisje janë edhe minoritetet jo-serbe dhe Nisma Socialdemokrate.
“Zonja Izmaku, këto ditë është deklaruar se edhe Nisma do të jetë e gatshme për të dhënë kontributin e vet për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.”
Megjithatë, ai vlerëson se varianti më i mirë do të ishte një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së.
“Varianti më i mirë do të ishte që edhe LDK të bëhet pjesë e koalicionit, për formimin e një qeverie të qëndrueshme dhe të fuqishme për të votuar ligje e marrë vendime me përgjegjësi shtetërore”.
Ai paralajmëron për sfida nëse nuk krijohet Qeveria:
“Kosovën, pas 8 muajsh pa Qeveri legjitime, e presin një mori ligjesh e marrëveshjesh ndërkombëtare për t’u miratuar si dhe votimi për zgjedhjen e presidentit/es të ardhshëm të Kosovës”.
Sipas tij, edhe pse nuk ka ende sinjale publike për marrëveshje mes LVV-së dhe ndonjë partie opozitare, “ka zëra që thonë se LDK e LVV tanimë të janë dakorduar për emrin e presidentit/es së ardhshme, e nëse kjo është e saktë, të dy partitë në fjalë mund të bien dakord edhe për formimin e koalicionit qeveritar.”
Në fund, Qarri paralajmëron edhe për një skenar tjetër në rast të mungesës së marrëveshjes.
“Përndryshe, duke marrë parasysh gjendjen heterogjene dhe pamundësinë e unifikimit të partive opozitare për bashkëqeverisje, të cilat kanë refuzuar edhe ofertën e zonjës Ana Pratipati nga ambasada amerikane, për formimin e qeverisë nga partitë opozitare, vendi nuk do të ketë mundësi tjetër, për rrugëdalje nga bllokada e krijuar dhe do të detyrohet sërish, të shkojë në zgjedhje të reja, në mënyrë që vet qytetari, si sovran i padiskutueshëm i këtij vendi, me votën e tij të lirë, të vendosë se kush do të fitojë besimin e tyre, për formimin e qeverisë së re dhe udhëheqjen e vendit në 4 vitet e ardhshme”.