Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Numërimi i votave rinis në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot – përfundon në tri komuna tjera

Numërimi i votave rinis në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot – përfundon në tri komuna tjera

Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit po zhvillohet me ritme të ndryshme në komuna të ndryshme të Kosovës.

Në Komunën e Prishtinës, puna ka rinisur me vonesa dhe vështirësi, për shkak të problemeve teknike që janë paraqitur të hënën dhe të martën në mëngjes. Në turnin e paradites të së martës, në Qendrën Komunale të Numërimit nuk është zhvilluar asnjë aktivitet, ndërsa punimet kanë rinisur pas orës 16:00, kur pjesërisht u evitua problemi teknik.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se aktualisht procesi po ecën hap pas hapi, dhe se deri tani rreth gjysma e qendrave të numërimit janë kthyer në funksion të plotë.

“Po punohet në hap pas hapi, në shumë prej tyre, pothuajse gjysma janë funksionale që nga ora 16:00 dhe pastaj edhe pjesa tjetër në ndërkohë”, tha Elezi.

Ndërkohë, në tri komuna – Junik, Mamushë dhe Zveçan – procesi i numërimit tashmë ka përfunduar.

Sipas Elezit, dinamika e përmirësuar e punës po ndihmon që të respektohen afatet ligjore, sidomos në funksion të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që pritet të mbahet së shpejti.