Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Detaje tronditëse nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, makina e xhaxhait të vrasësit mbushur me fishekë

Detaje tronditëse nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, makina e xhaxhait të vrasësit mbushur me fishekë

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detaje të reja nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit nr. 3 të Gjykatës së Apelit, teksa po shpallte vendimin për një çështje civile.

Ngjarja tronditëse ndodhi gjatë seancës ku ishin të pranishëm Gjon Shkambi, nipi i tij Elvis Shkambi dhe palët e tjera, Ragip dhe Ervis Kurtaj. Sapo gjyqtari Kalaja nisi leximin e vendimit, i cili nuk ishte në favor të Gjon Shkambit, nipi i tij Elvis nxori një armë zjarri të llojit pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend.

Nga të shtënat mbetën të plagosur dhe Elvis e Ragip Kurtaj, të cilët tentuan të largoheshin nga salla për t’i shpëtuar plumbave. Në vendngjarje u sekuestrua arma e krimit, një pistoletë “Welt Waffen W. Germany, Cal. 765 mm, Browning”, me një fishek në folenë e qitjes dhe dy të tjerë në krehër.

Hetimet zbuluan edhe një tjetër element shqetësues: në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë, u gjet një automjet tip “Mercedes Benz” me targa AA900AA në pronësi të Gjon Shkambit, brenda të cilit ndodheshin 31 fishekë kalibri 9 mm, që dyshohet se ishin fishekë manovër.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në ambientet gjyqësore. Prokuroria vijon hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe bashkëpunëtorët e mundshëm.