Kandidatja e pavarur për Asamblenë Komunale të Istogut, Shqipe Muja, ka marrë vetëm 9 vota në zgjedhjet lokale të 12 tetorit – një rezultat që përbën më pak se 1% të votave të vlefshme në këtë komunë.
Muja, një mësimdhënëse me profesion, hyri në garë si e pavarur duke u fokusuar në arsim dhe përfaqësim të qytetarëve. Mirëpo, pas shpalljes së rezultateve, ajo reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke sulmuar një faqe lokale informative që raportoi për rezultatin e saj modest.
Në postimin e saj, e mbushur me gabime gjuhësore dhe tone fyerëse, ajo hodhi akuza për gjoja “blerje votash” dhe përhapje dezinformatash nga ana e faqes “Istogu Sot”. Ajo po ashtu deklaroi se ka mbështetës jashtë Kosovës, përfshirë Shqipërinë dhe Serbinë.
Reagimi i saj ka nxitur reagime të ndryshme në opinion publik dhe rrjete sociale, ndërsa ka ngritur pyetje mbi etikën e komunikimit publik, sidomos kur bëhet fjalë për kandidatë në pozita përfaqësuese.
Ndërkohë, rezultatet zyrtare për Asamblenë Komunale të Istogut janë duke u përditësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.