Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën më 12 tetor.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama u shpreh mirënjohës për besimin e dhënë, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe të vlerave demokratike.
“Të dashur qytetarë, dua t’ju falënderoj me gjithë zemër për pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet e lira dhe demokratike të ditës së djeshme. Pjesëmarrja e juaj tregon pjekurinë e shoqërisë tonë dhe besimin në vlera demokratike”, tha ai.
Ai po ashtu uroi edhe kandidatët e tjerë për pjesëmarrjen e tyre në këtë proces, duke e cilësuar atë si një kontribut që forcon demokracinë dhe u jep zë shpresave e ideve të qytetarëve.